Ligji “ Mbi Menaxhimin e integruar të mbetjeve” i miratuar me kartonët e shumicës dhe opozitës (në mënyrë të tërthortë duke plotësuar kuorumin e nevojshëm për vlefshmërinë e votimit) na tregon rrugën të cilën duhet të ndjekim të gjithë ne, që kemi ndërmend të vazhdojmë të jetojmë në këtë vend. Rrugën e mjerimit dhe të robërisë. Nëse “baballarët” e kombit vendosin de fakto unanimisht kthimin e Shqipërisë në një kosh plehrash, atëherë gjëja e parë që të vjen ndërmend është që ky në të vërtetë nuk është atdheu ynë, por vetëm i atyre që kanë vendosur t’i vënë atij kazmën për të sunduar dhe për t’u pasuruar sa më gjatë të jetë e mundur. Edhe s’ka se si të ndodhë ndryshe. Tanimë jemi te mësuar me mbeturinat, ato na gjenden kudo, nëpër rrugë, kafene, TV, apo parlament dhe nëse marrim disa mbeturina shtesë nga një vend “mik” “euroatlantik”, akoma më mirë, sepse sipas doktrinës sunduese, plehrat e partnerëve strategjike na bëjnë nder. Pas një viti do festojmë 100 vjetorin e pavarësisë. Por a mund të quhet një shtet i shndërruar në kosh plehrash i pavarur? Pavarësinë, dhe shtyllat që e mbajnë atë në këmbë, drejtësia, arsimi, ekonomia, gjenden tashmë të flakura tej, për t’i lënë vendin një territori të ndarë në qindra zona influence. Një territori të dobishëm vetëm për një gjë, për të hedhur plehrat e të tjerëve.
Gjendemi në një udhëkryq historik dhe para nesh shtrohen dy rrugë. E para është ajo që po ndjekim tani symbyllurazi, rruga e varfërisë, nëpërkëmbjes, kaosit dhe shkatërrimit dhe e dyta, rruga e prosperitetit, solidaritetit, dinjitetit dhe lirisë. E sot bëhet çmos që kjo rrugë e dytë të na mbyllet jo vetëm në të tashmen por edhe në të ardhmen. E pra, nuk jemi të lirë, e tek shohim vendin tonë t’i avitet pandalshëm humnerës, ndjejmë gjithnjë e më shumë mbi supe dobësinë tonë e fuqinë atyre të tjerëve, shkatërruesve, ndotësve….pushtuesve. Jemi të pushtuar, jo më si dikur, nga çizmet e ushtrive të huaja, por nga pafuqia jonë për t’i rezistuar të keqes dhe e keqja tek ne është ulur këmbëkryq. Nesër maune te stërmbushur me mijëra ton plehra do të vërshojnë nëpër katër anët e Shqipërisë dhe kjo do të na shitet sërish si “standard i BE” apo si pasojë e “tregut të lire”, e ndërkohë ëndrra evropiane, që sot paradoksalisht po shërben si justifikim i shumë paudhësive në dëm të se ardhmes tonë të përbashkët, bëhet gjithnjë e më e largët. E vërtetë, sot pushtuesit nuk dallohen më nga uniformat dhe armët, por nga postet që mbajnë, nga tenderët që firmosin dhe nga ligjet që miratojnë. Ndaj është koha që të tregojmë se jemi një komb që di ta bëjë historinë dhe jo të jetë thjesht viktimë e saj. Është koha për të treguar që NE ekzistojmë, e hapi i parë për ta bërë këtë është duke i thënë vendosmërisht JO importimit të plehrave.