Libri i fundit i historianes franceze Nathalie Clayer “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”( botime Përpjekja, Tiranë 2009), paraqet një panoramë interesante të zhvillimit të identitetit kombëtar shqiptar si dhe të sfidave të tij kryesore në kundërthënie me nacionalizmat e vendeve fqinje. Autorja me të drejtë, thekson se zhvillimi i shqiptarizmit ishte një proces i ngadaltë, i cili haste mjaft vështirësi, sidomos nga fakti që mbi 90% e popullsisë në atë kohë ishte analfabete. Për rrjedhojë, rilindasit vunë si synim parësor të programit të tyre hapjen e shkollave shqipe në mënyrë që të arrihej përhapja e idesë së kombit në një popullsi të arsimuar që do ta përpunonte më lehtë ideologjinë kombëtare si dhe nuk do të binte pre e propagandës së vendeve fqinje.
Që nga periudha e rilindjes kombëtare e deri më 1990, shteti shqiptar, pavarësisht natyrës së regjimit apo konjukturave ndërkombëtare, ka ndjekur me rigorozitet të plotë këtë program.
Por çfarë po ndodh sot, 20 vjet mbas ndryshimit të madh? A po arrin dot sistemi arsimor shtetëror shqiptar të shërbejë si bazë për ruajtjen e kohezionit kombëtar?
Shqipëria sot paraqet mjaft ngjashmëri me Shqipërinë e fundit të shekullit të 19-të, të përshkruar aq mjeshtërisht nga Clayer. Njësoj si në epokën e rilindjes, vendi është mbushur plot e përplot me rrjete shkollash private të huaja, te cilat nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli dhe i shërbejnë plotësisht interesave të shteteve qe i financojnë. Tanimë kemi një rrjet të dendur shkollash greke të përhapura kryesisht në jug të vendit. Së fundmi kemi parë nëpërmjet mediave rastin e Boboshticës ku shkolla lokale shqiptare (nga më të vjetrat në vend) ishte rrënuar plotësisht dhe ishte zëvendësuar nga një shkollë private greke, e cila që tani i kishte mësuar nxënësve himnin kombëtar grek. Raste si Boboshtica janë të panumërta në të gjithë vendin dhe na bëjnë të kuptojmë se lufta e bërë nga patriotë si Petro Nini Luarasi apo Dhaskal Todri kundër hegjemonisë greke në jug të Shqipërisë, paska shkuar dëm njëherë e përgjithmonë. Nga ana tjetër, kemi rastin e hapjes së universiteteve private të huaja. Në Tiranë, ne sot kemi universitete private të financuara nga një mori shtetesh të huaja të cilat po avantazhohen gjithnjë e më shumë nga degradimi i sistemit arsimor vendas si dhe nga fenomeni i neo-liberalizmit ekstrem alla shqiptar që ka në thelbin e tij shkatërrimin e çdo monopoli publik ne favor të atij privat.
Por çfarë qëllimi kanë shtetet e huaja për te ngritur rrjetet e tyre arsimore në të katër cepat e Shqipërisë?
Së pari duhet bërë i qartë fakti që çdo shtet në botë ka një interes kombëtar, të artikuluar në një politikë të jashtme të caktuar që ka për qëllim fuqizimin politik, ekonomik dhe ushtarak të shtetit në fjalë. Arsimi është një nga mjetet më efikase për zgjerimin e ndikimit, fillimisht kulturor e më pas politik të një shteti ndaj një shtetit tjetër. Kjo arrihet fillimisht nëpërmjet ngritjes së strukturave arsimore në shtetet vasale, qe do të kenë si qëllim përçimin e kulturës së tyre ndaj elitave të ardhshme. Elita, që më pas do të jenë tërësisht nën influencën e vendeve nga të cilat kanë marrë edukimin dhe kulturën. Ky fenomen ka ndodhur në Shqipëri në periudhën para pavarësisë, ku shkollat greke, italiane, austriake dhe otomane luftonin me njëra tjetrën për një ndikim sa më të madh. Në kushtet e rrënimit të plotë të autoritetit shtetëror, ky fenomen po përsëritet edhe sot me pak a shumë po të njëjtët aktorë. Por cilat do jenë pasojat në të ardhmen?
Pas disa dekadave, elitat e fabrikuara nga sistemet arsimore paralele, të mbështetura edhe nga shtetet protektore, do të kenë gjithnjë e më shume pushtet në të gjitha fushat e jetës në vend. Ky pushtet do kanalizohet në varësi të interesave të protektorëve, që mund të jenë edhe pro edhe kundër interesave të shtetit tonë. Kjo do e transformonte Shqipërinë në një Liban ballkanik, ku çdo shtet i interesuar përpiqet të gjenerojë sa më shumë influencë për ta materializuar atë në privatizime, koncesione, tendera apo edhe në ndryshime kufijsh. Ndaj tani është momenti i duhur për te ngritur një debat konstruktiv për mënyrën se si mund të parandalohet edhe te kontrollohet zhvillimi i një fenomeni të tillë. Shteti shqiptar duhet të mbrojë dhe zhvillojë sistemin e vet arsimor publik ashtu siç bën çdo shtet serioz në botë, pasi kjo është e vetmja mënyrë që mund të garantojë kohezionin kombëtar, aq të nevojshëm për ekzistencën e një shteti të brishtë si Shqipëria. Një masë e tillë është më e nevojshme se kurrë ne kushtet aktuale ku “Libanizimi” i Shqipërisë po përparon me shpejtësi. Mjafton të ndjekim me kujdes vizitat e zyrtarëve të lartë të vendeve të rajonit, për të kuptuar disa nga simptomat më të dukshme të këtij procesi. Kështu, një përfaqësues i lartë i shtetit grek, gjatë vizitës së tij në vendin tonë, duhet të bëjë patjetër një ndalesë në kishën autoqefale ortodokse të Shqipërisë, duke nënkuptuar ne këtë mënyre faktin që ortodoksët e Shqipërisë janë një komunitet nën protektoratin grek. Stacionet e tjera te vizitës do jene doemos edhe institucionet arsimore të ngritura nga shteti grek , madje edhe në zemër te Tiranës. Kjo ndodh edhe me vizitën e ndonjë përfaqësuesi të lartë të Turqisë. Ai njëherë do takohet me zyrtarët vendas, e më pas do bëjë një vizitë në selinë e komunitetit mysliman dhe në universitetin turk në Tiranë. E njëjta gjë ndodh edhe me disa nga përfaqësuesit e shteteve të tjera. Përballë një situate të tillë shtetit ynë jo vetëm që nuk merr asnjë masë për të mbrojtur veten e vet, por përkundrazi bën regjistrime popullsie mbi baza etnike dhe fetare që do të çojnë në një institucionalizim të mëtejshëm të ndarjes së vendit.
Në mënyrë që edhe shkollat bashkë me universitetet e huaja në vend të mos shndërrohen në instrumente të çimentosjes përfundimtare të copëtimit të Shqipërisë në zona influence të ravijëzuara ne bazë të përkatësive fetare dhe etnike, duhet të ndërmerret një aksion energjik që do ta shndërrojë arsimin publik në një sistem arsimor kompetitiv, të aftë për të luajtur rolin që i takon. Krahas fuqizimit të sistemit arsimor, duhet të ndërmerren masa për kontrollimin e programeve dhe aktiviteteve të rrjeteve arsimore të huaja. Kjo duhet bërë sa më parë sepse nesër do jetë tepër vonë. Ditët e fundit, jemi të gjithë dëshmitarë të një përmbytjeje që ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të shtetit për dy dekada me radhë. Nesër, përmbytja e injorancës do të jetë edhe më shkatërrimtare se ajo e ujit dhe nesër s’do të ketë më as diga për të riparuar….