PLATFORMA RADIKALE

Pothuajse 20 vjet pas rënies së diktaturës komuniste, sot me keqardhjen më të madhe vëmë re ngritjen e një diktature të re, ndoshta më pak të dukshme se ajo e mëparshmja por që është po aq efektive në nëpërkëmbjen e dinjitetit njerëzor dhe lirive vetjake të çdo individi. Sot jemi të gjithë dëshmitarë të heshtur tek shohim atdheun tone të shkatërrohet përditë vetem për interesat e një grupi të vogël oligarkësh, që me anë të një “Demokrature” të re kanë shkatërruar çdo premisë realisht demokratike per vendin tonë. Deri më sot kjo tirani është përballur vetem me një apati të heshtur dhe ulëritëse njëkohësisht. Por sot ka ardhur koha që apatisë t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë, e për këtë nevojitet një alternativë radikalisht  ndryshe nga pseudo-alternativat politike të shfaqura gjatë këtij tranzicioni gjysmak. Një alternativë tjetër qe do angazhohej realisht për mbrojtjen e demokracisë, dinjitetit dhe lirisë tonë. Kjo alternativë jemi ne, Radikalët.

Qëllimi ynë është te krijojmë një lidhje të fortë qytetarësh që te bëhet një barrikadë e pakalueshme ndaj abuzivizmit që s’ka fund. Ne synojmë ngritjen e një iniciative qytetare që ofron alternativa konkrete për ndërtimin e një Shqipërie tjetër.      

Ne besojmë që dalja nga tuneli ku kemi hyre këtu e njëzet vjet më parë, mund të ndodhë vetëm me anë të solidaritetit mes njëri tjetrit dhe angazhimit civil të secilit prej nesh. Ne jemi të vendosur për të mbrojtur shtetin ku jetojmë nga degradimi i mëtejshëm. Këtë ne do ta arrijmë jo vetëm nëpërmjet ofrimit të alternativave konkrete por edhe me anë të angazhimit në terren.    
Ne mendojmë që faktori kryesor që do ta nxjerri Shqipërinë nga kriza është transformimi i rendit aktual politik, social dhe ekonomik. Politika ne vendin tonë ka nevojë te konceptohet si një instrument në shërbim të njerëzve dhe jo si një instrument në shërbim të interesave vetjake të individëve të veçantë. Për këtë, nevojitet përfshirja direkte dhe sa më e plotë e qytetarëve në vendimmarrje. Përforcimi i demokracisë direkte ne zgjedhjen e presidentit, prokurorit të përgjithshëm, kryetarit të gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese është një domosdoshmëri që do të zhbllokonte proceset demokratike të ngrira prej 20 vjetësh.   

Ne shprehemi qartë pro një shoqërie të emancipuar që ka pavarësinë e individit për të vendosur për veten e tij, në qendër të saj. Ne jemi kundër çdo lloj diskriminimi të bazuar në racë, etni, fe, gjini, ide, apo orientim seksual. Ne angazhohemi fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave civile të çdo qytetari.

 Zhvillimi ekonomik duhet të përfshijë të gjitha shtresat e shoqërisë dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me parimet ku mbështetet mbrojtja e mjedisit. Ekonomia e vendit duhet të specializohet në sektorë të caktuar, në mënyrë që të jetë konkurrente dhe e aftë për të prodhuar vende pune dhe mirëqenie materiale. Bujqësia është një fushë prioritare dhe nga zhvillimi i saj do të varet gjithë dinamika e ekonomisë shqiptare. Investimet e huaja duhet të mbështeten vetëm atëherë kur respektojnë të drejtat e punëtorëve dhe kur nuk deformojnë tregun në vend. Ne jemi për një treg të drejtë, pa monopole dhe ku është e garantuar mbrojtja dhe konkurrenca e drejte ndaj çdo subjekti.   

Vizioni ynë për të ardhmen mbështetet në mbrojtjen e mjedisit. Një mjedis i degraduar nga ndotja, mbeturinat, shkatërrimi i pyjeve  apo gërryerja e lumenjve, është një barrë që secili nga ne është i detyruar ta mbajë në kurriz. Shkatërrimi i mjedisit cënon në mënyrë direkte kualitetin e jetës tonë. Ne jemi kundër ngritjes së centraleve bërthamore, megateceve dhe fabrikave të cimentos që do të kenë një ndikim vrastar në ambient. Mbrojtja e mjedisit mund të realizohet vetëm me anë të politikave afatgjatë dhe nëpërmjet angazhimit të vullnetarëve që do të përshihen në mbrojtjen e zonave më vulnerabël ndaj shkatërrimit. Masakra urbane është një fenomen që ka ndikim shkatërrimtar në mjedis dhe në jetesën e qytetarëve. Për këtë arsye ne jemi për hartimin e një programi afatgjatë që do i bënte qytetet shqiptare të jetueshme dhe do i rikthente atyre identitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike.  

Ne mendojmë që arsimi në vendin tonë ka nevojë për reforma të plota radikale, për të dalë nga kriza ku është futur. Në kushtet e një kolapsi të plotë të sistemit arsimor, ne jemi të gatshëm të organizojmë struktura arsimore ndihmëse që do i gjenden pranë gjithë atyre nxënësve apo studentëve që nuk e gjejnë dot veten në shkollat apo universitetet e vendit. Ne jemi kundër liberalizmit të hapjes së shkollave dhe universiteteve private në vend. Ne jemi për një arsim cilësor dhe të hapur ndaj të gjithëve. 

Sistemi shëndetësor është një nga plagët më të thella. Ai duhet reformuar në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare. Ne zotohemi plotësisht për të ngritur qendra shëndetësore vullnetare për t’u kujdesur për te gjithë ata që nuk marrin trajtimin e duhur në spitalet e vendit. Ne mendojmë që fenomeni i ngritjes së spitaleve private të huaja në vend, është një simptomë e qartë e paaftësisë së shtetit për të menaxhuar sistemin shëndetësor publik.

Sistemi i Drejtësisë gjendet sot në kulmin e degradimit. Ai është i korruptuar dhe është konceptuar si pjesë e pandashme e ekzekutivit. Një Drejtësi e pastër dhe e pavarur, është kauza më e fisme, për të cilën ne jemi të vendosur të luftojmë deri në fund. Në një realitet ku institucionet ligjvënëse në vend janë rrënuar plotësisht, ne ofrojmë ngritjen e një rrjeti  juristësh vullnetarë që do të angazhohen në mbrojtjen e të drejtave të dhunuara nga sistemi aktual. Aktiviteti i kësaj strukture do të fokusohet në dhënien e konsultave ligjore ndaj atyre që nuk gjejnë drejtësi si dhe në zgjidhjen e konflikteve mes palëve në rastet kur Gjykatat dështojnë në punën e tyre.

Ne jemi të vetëdijshëm që vendin nga kriza mund ta nxjerrin vetëm shqiptarët dhe se “arbitrit” e huaj nuk kanë vend në një shtet realisht të pavarur dhe sovran. Për këtë arsye, ne jemi për zvogëlimin e ndikimit të huaj në vend. Ne duam një vend që drejtohet vetëm nga Shqiptarët.

Ne duam një shtet që di t’i zgjidhë vetë problemet e veta pa ndërhyrjen kurrkujt. Ne jemi të idesë që parimi i vetëvendosjes është një e drejtë themelore  për çdo komb. Ndaj ne kërkojmë organizimin e një referendumi mbarëkombëtar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
 

 

Postimi i Mëparshëm
Postimi Pasues
Lini një koment

1 Koment

  1. edona Pr.

     /  Nëntor 10, 2009

    “Askush nuk mund të kalërojë mbi kurrizin tënd po qe se nuk i përkulesh.”
    Martin Luther King Jr.

    Përgjigjjuni

Lini një Përgjigje

Fill in your details below or click an icon to log in:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.