Mbi masakrimin e qyteteve shqiptare
Është shumë domethënës fakti që sa herë kur ne vizitojmë një qytet të çfarëdoshëm evropian (lindor apo perëndimor) na bën përshtypje gjithnjë e njëjta gjë: Rregulli, pastërtia, rrugët e shtruara, njëtrajtshmëria arkitektonike dhe monumentet e kulturës të mbrojtura që i japin qyteteve karakteristikat e tyre të veçanta. Këto na bëjnë përshtypje, sepse qytetet tona në dallim të plotë nga qytetet e evropiane na ofrojnë një panoramë krejtësisht të ndryshme. Sot qytetet shqiptare shquhen për papastërtinë, ndërtimet abuzive, rrugët e shkatërruara, problemet me kanalizimet dhe ujin e pijshëm, ajrin e ndotur, trafikun e rënduar si dhe lidhjet e elektrikut, telefonit apo internetit që ngatërrohen mbi kokat tona pa kurrfarë rregulli porsi rrjeta merimangash.
E thënë shkurt qytetet shqiptare janë bërë pre e kaosit urban apo “Masakrës Urbane” siç parapëlqehet të thuhet nëpër media.
Termi “masakër urbane”, i shpikur si i tillë gjatë këtyre viteve të tranzicionit, përkufizon më së miri një realitet tanimë të pranuar në jetën e çdo shqiptari. Masakrimi i qyteteve shqiptare ka ndodhur si pasojë e disa faktorëve, por shkaku real mbetet gjithnjë mosfunksionimi i shtetit.
Faktori i parë që ka ndikuar në këtë shkatërrim, është lëvizja e pakontrolluar demografike. Pas kolapsit te viteve 90, qytetet tona do të përfshiheshin nga një dyndje masive të popullsive fshatare që deri në atë periudhë përbënin mbi dy të tretat e popullsisë së përgjithshme. Ky ndryshim i skajshëm demografik nuk ishte i kontrolluar dhe erdhi si pasojë e kolapsit të plotë të shtetit dhe pamundësisë së tij per t’iu përgjigjur nevojave të shtetasve të vet. Një fenomen ky që vazhdon edhe sot, njëzet vjet pas ndryshimit të madh. Fillimisht, vala e parë e “dyndjeve” shkaktoi krijimin e të ashtuquajturave “Zona Informale”, që mbinë si kërpudha pas shiut në qytetet kryesore të vendit. Tirana, Durrësi dhe Vlora që ofronin disa mundësi modeste punësimi për banorët e rinj, ishin edhe qytetet më të goditura. Në këtë mënyrë filloi edhe historia e re e slum-eve shqiptare si Bathorja, Kamza, “Zona e Kënetës” etj. Këto zona sot përbëjnë një turp, të cilin duhet ta mbajë mbi supe secili prej nesh. Në to jeton një popullsi e zhytur në mjerim, në mungesë të plotë të rrugëve, kanalizimeve,shkollave, spitaleve edhe mjediseve publike aq të nevojshme për të farkëtuar një komunitet të ri qytetarësh.
Një faktor tjetër në shkatërrimin e qyteteve shqiptare, janë edhe ndërtimet abuzive që janë kryer pa marrë parasysh karakteristikat e vendbanimeve ku janë ndërtuar. Nga viti 91 deri në fillim të viteve 2000, qytetet po kioskëzoheshin intensivisht. Por më pas kioskat ia lanë vendin pallateve shumëkatësh që mbinë kudo pa marrë parasysh asnjë kriter. Duke shfrytëzuar etjen e banorëve për shtëpi më komode si dhe etjen e biznesit për më shumë hapësira ku mund të shtrinin aktivitetin e tyre, betonizimi i vendit u kthye në një proces të pandalshëm që po vazhdon hapin e tij shkatërrimtar edhe sot ne Shqipërinë tonë “natoiste”. Betonizimi është një proces që po ia merr frymën qyteteve tona, duke i hequr atyre gjithë vlerat e dikurshme arkitektonike, si dhe duke ia shkatërruar njëherë e përgjithmonë trashëgiminë historike dhe kulturore. Mjafton t’i hedhesh një sy qytetit të Durrësit për të konstatuar efektet e këtij fenomeni. Ky qytet i lashtë, që ruan në brendatokën e tij një pasuri unikale arkeologjike, është sot një viktimë e heshtur e urbanizimit të shfrenuar të këtyre njëzet viteve te fundit. Ndërtime monstruoze, pa asnjë vlerë arkitektonike, po shkatërrojnë në mënyrë të pakthyeshme identitetin e qytetit. Betonizimi ka hyre kudo, brenda mureve të vjetra të qytetit, brenda qendrës historike, mbi kodrat dikur të gjelbëruara por që tani janë shndërruar në gri, madje edhe brenda vetë hapësirës së amfiteatrit antik. E njëjta gjë mund të thuhet për Tiranën, Vlorën edhe Sarandën dhe në përmasa disi më të vogla për qytetet e tjera.
Fenomeni i ndërtimeve abuzive përmban në vetvete rreziqe të panumërta. Jo vetëm që cënohet në mënyrë të pakthyeshme identiteti i qyteteve, por rrezikohet në mënyrë direkte edhe vetë jeta e banorëve qe banojnë në to dhe rreth tyre. Në shumicën e rasteve këto ndërtime janë kryer, në mungesë të plotë të kontrollit nga ana e shtetit, pa respektuar asnjë parametër qoftë ky teknik apo urbanistik. Kështu, janë shpërfillur kriteret mbi kanalizimet, rrugët ndërlidhëse, trafikun, sistemin elektrik dhe materialet e ndërtimit, duke i bërë qytetet tona vulnerabël kundrejt tërmeteve (larg qofshin), përmbytjeve apo edhe epidemive të shkaktuara nga uji i ndotur dhe amortizimi i kanalizimeve.
Por cili është impakti i masakrës urbane në shoqërinë tonë?
Se pari vetë fjala qytetërim e ka prejardhjen nga fjala latine civitas ( bashkësi qytetarësh). Në momentin kur qytetet zvetënohen nga identiteti, historia, kultura dhe arkitektura e tyre, atëherë automatikisht vetë qytetari dhe bashkësia e qytetarëve pushon së ekzistuari. Rrjedhimisht një qytetërim pa qytete nuk mund të quhet më i tillë. Arrijmë kështu në përfundimin tronditës që këto njëzet vjet tranzicion na kanë çuar 3000 vjet mbrapa, në kohën kur paraardhësit tanë po formonin ngulimet e para.
Por masakra urbane ka ndikime të pallogaritshme edhe në vetë psiken e banorëve. Imagjinoni si mund të rritet një fëmijë në një ambient të ndotur, pa hapësira publike, pa gjelbërim dhe më kryesorja mes shëmtisë se kudondodhur. Sot qendrat tona të banimit (sepse qytete nuk mund te quhen më) janë tmerrësisht të shëmtuara dhe një brez i lindur dhe rritur në një mjedis të tillë nuk mund të jetë shpresëdhënës për të ardhmen.
Në këtë gjendje na mbetet të shpresojmë që më në fund qytetarët të bëhen të vetëdijshëm që për të mbajtur titullin “qytetar”, nuk mjafton thjesht banimi në një qytet por edhe sjellja si i tillë. E një qytetar duhet të dijë t’i thotë njëherë e mirë ndal masakrimit të shtëpisë së tij. Masakra urbane ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën tonë dhe jeta është gjëja më e shtrenjtë që kemi. Dhe një Shqipëri tjetër është e mundur vetëm në një shoqëri që do të ketë vetë jetën në qendër të saj.